Në kuadër të Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete – Drejtoria për Administratë Komunale me rastin e shënimit të 12 Prillit – “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve në Situatë Rruge” në SHFMU “Hysni Zajmi” në Vrellë është mbajtur një ligjëratë informuese me nxënësit e klasave VI dhe VII nga zyrtarja për Mbrojtje të Fëmijëve dhe Riintegrim në Komunën e Istogut.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte rritja e vetëdijes tek nxënësit lidhur me shkaqet që çojnë fëmijët në situatë rruge, si dhe pasojat e dukurisë së kërkim-lëmoshës. Një theks i veçantë u vendos edhe tek rëndësia e mos-dhënies së lëmoshës si një formë që ndihmon në parandalimin e kësaj dukurie.
Gjatë aktivitetit, nxënësit patën mundësi të informohen dhe të diskutojnë mbi këtë çështje të ndjeshme, ndërsa u shpërndanë edhe fletushka informuese me qëllim të zgjerimit të njohurive dhe ndërgjegjësimit lidhur me dukurinë e kërkim lëmoshës.