
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Istogut z. Ilir Ferati është bërë sot promovimi i librit “E kujtojmë Fadil Feratin” në edicionin e 22-të me radhë të botimeve tradicionale të Komunës së Istogut, libër ky me përmbledhje poetike, tradicionale me krijime letrare të nxënësve të komunës së Istogut.
Me një fjalë rasti, Kryetari i Komunës z.Ilir Ferati, përshëndeti të pranishmit dhe ndër të tjera tha se “Është kënaqësi e veçantë për mua aq sa është edhe emocion që sot në edicionin e 22-të me radhë të botimeve të komunës së Istogut me një libër të frytshëm dhe përmbajtësor kam mundësinë që në cilësinë e kryetarit të komunës të drejtohem para jush me një fjalë të shkurtër, përshëndetëse dhe të shpreh respektin tim ndaj këtij botimi, gjegjësisht përmbledhjeve poetike, tradicionale të nxënësve të komunës së Istogut nën titullin “E kujtojmë Fadil Feratin.”
Një simbolikë e veçantë është se ky promovim mbahet në ditëlindjen e babait tim, ish-kryetarit të Istogut Fadil Feratit, i cili pak më shumë se 13 vite më parë, ishte kryetar i kësaj komune e i cili për 11 vite radhazi ju shërbej qytetarëve të tij.”
Ndërsa përgjegjësja për Kulturë në Komunën e Istogut dhe redaktorja e librit znj. Qefsere Ibrahimaj, tha se “Libri është përmbledhje e 82 krijimeve letrare nga shumë nxënës, talent të shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Istogut në përpjekje për të hapur rreze diturie dhe për të identifikuar talentet e rinj të vargut dhe poezisë në përgjithësi.”
Para të pranishmëve u paraqiten nxënësit me krijimtaritë e tyre.