Komuna e Istogut mbajti seancë solemne me rastin e 12 Prillit – Ditës së Dëshmorëve
Në këtë seancë solemne të Kuvendit Komunal, pjesëmarrës ishin Kryetari i Komunës, Ilir Ferati me kabinetin e tij, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Enver Rugova, këshilltarët komunal, familje të dëshmorëve, udhëheqës të shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, si dhe përfaqësues nga institucionet që veprojnë në Istog.
Seancën solemne e hapi Kryesuesi i Kuvendit, Enver Rugova, i cili lartësoi sakrificën e madhe të dëshmorëve tanë dhe shprehu mirënjohjen për ta dhe familjet e tyre.
Ndërsa me një fjalë rasti, para të pranishmeve u paraqit Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, i cili përshëndeti të pranishmit dhe përpos të tjerash tha se “Për lirin që e gëzojmë sot, është dhënë shumë, ku pjesë e kësaj sakrifice ishim ne, ishte populli ynë, populli shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve tanë, ku pa hezitim u bëmë një, me të vetmin qëllim, për realizimin e ëndrrës shekullore për liri e shtet.”
Ne gjithmonë do të përulemi para atyre që dhanë jetën për të drejtat dhe liritë tona.
Mirënjohje për luftëtarët e UÇK-së, lavdi për dëshmorët dhe gjithë atyre që kontribuan për lirinë e vendit tonë.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!
