Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete, në kuadër të Drejtorisë për Administratë Komunale në Komunën e Istogut, ka hapur fushatën ndërgjegjësuese kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Qëllimi i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes qytetare, promovimi i barazisë gjinore, parandalimi i dhunës dhe informimi i qytetarëve për të drejtat e tyre, mënyrat e raportimit dhe mekanizmat institucionalë të mbrojtjes.
Në kuadër të fushatës do të realizohen aktivitete të ndryshme, duke përfshirë takime dhe diskutime me gratë, të rinjtë dhe nxënësit në shkolla, me fokus në ndërgjegjësimin dhe edukimin për parandalimin e të gjitha formave të dhunës.
Gjithashtu, do të mbahet takimi i Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe do të realizohet një vizitë në strehimore, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë.
Përmes këtyre aktiviteteve, Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete synon të fuqizojë angazhimin institucional në parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Mesazhi i kësaj fushate është i qartë: Dhuna nuk është çështje private, por shkelje e të drejtave të njeriut. Heshtja nuk është zgjidhje, ndërsa raportimi dhe reagimi institucional janë hapa të domosdoshëm drejt mbrojtjes.
Së bashku për një shoqëri pa dhunë, me barazi, siguri dhe dinjitet për të gjithë!
