Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për shënimin e Javës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, janë mbajtur ligjërata informuese me nxënës të shkollave të Komunës së Istogut, me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Ligjëratat janë mbajtur nga Zyrtarja për Mbrojtje të Fëmijëve dhe Riintegrim, në kuadër të Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete – Drejtoria për Administratë Komunale, me qëllim të informimit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve për të drejtat që u garantohen me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe aktet e tjera ndërkombëtare që trajtojnë këtë fushë.
Gjatë ligjëratave u diskutua për të drejtat themelore të fëmijëve, parimin e mosdiskriminimit, si dhe rëndësinë e mbrojtjes nga çdo formë e dhunës, abuzimit dhe neglizhencës. Gjithashtu, u theksua se çdo fëmijë, pa dallim race, gjinie, ngjyre, feje, prejardhjeje apo gjendjeje tjetër, ka të drejtë për mbrojtje, mirëqenie dhe trajtim të barabartë.
Ligjëratat u mbajtën në këto shkolla: SHFMU “Avni Rrustemi” në Zallq, SHFMU “Mehmet Akif” në Shushicë dhe SHFMU “Trepça” në Banjë.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet fuqizimi i njohurive të fëmijëve mbi të drejtat e tyre dhe nxitja e respektimit të tyre në praktikë, duke theksuar se mbrojtja dhe mirëqenia e çdo fëmije janë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, shkollës, familjes dhe shoqërisë.