Në Komunën e Istogut sot u mbajt ceremonia e shpërndarjes së mjeteve bujqësore për gratë fermere përfituese nga projekti “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”, i zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) në partneritet me UN Women dhe i financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, së bashku me anëtarë të kabinetit të tij, si dhe përfaqësuesja e FAO-s në Kosovë, Armanda Jahja.
Me këtë rast, kryetari Ferati theksoi rëndësinë e mbështetjes së grave në sektorin e bujqësisë, duke vlerësuar projekte të tilla që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të grave dhe zhvillimin e zonave rurale. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Komunës së Istogut për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e bujqësisë dhe mirëqenien e fermerëve.
Procesit të përzgjedhjes së përfitueseve i kanë paraprirë trajnimet për gratë aplikuese, të organizuara në kuadër të projektit, me qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen e tyre për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore. Më pas është zhvilluar edhe faza e vlerësimit dhe monitorimit në terren nga komisioni përkatës, për të siguruar një përzgjedhje sa më të drejtë të përfitueseve dhe për të identifikuar nevojat e tyre konkrete.