Me rastin e shënimit të 15 Majit “Dita Ndërkombëtare e Familjes” Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në kuadër të Drejtorisë për Administratë Komunale mbajti një tryezë më familjet strehuese në Istog, më qëllim të diskutimit për përvojat e tyre, nevojat dhe sfidat që i hasin si familje strehuese gjatë strehimit të fëmijëve pa përkujdesje prindërore, të keqtrajtuar e të neglizhuar nga familja e tyre biologjike.
Tryeza e mbajtur sot ishte një mundësi që familjet strehuese të diskutojnë hapur mbi vështirësitë që hasin gjatë strehimit të fëmijëve dhe një mundësi për të dëgjuar njëri – tjetrin, për të mësuar për përvojat e ndryshme dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta që e lehtësojnë këtë rrugëtim.
Në këtë tryezë po ashtu u theksua roli i pazëvendësueshëm i familjeve strehuese në mbrojtjen dhe përkujdesjen e fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe fuqizimi e sigurimi i një mbështetje të qëndrueshme dhe efektive që duhet ofruar nga komuna në mënyrë të vazhdueshme për familjet strehuese.