Është mbajtur mbledhja e katërt e Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës në Komunën e Istogut, ku ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte inicimi i procesit të hartimit të Planit të ri Trevjeçar të Punës së Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës, për periudhën (2027–2029).
Gjatë kësaj mbledhjeje u miratua procesverbali nga mbledhja e tretë e Ekipit, si dhe u diskutua në detaje për zbatimin e aktiviteteve dhe angazhimet e realizuara gjatë këtij viti, me fokus të veçantë në progresin e arritur dhe çështjet që kërkojnë vëmendje të mëtejshme.
Në kuadër të mbledhjes, anëtarët e Ekipit hapën diskutimin për përcaktimin e objektivave, prioriteteve, aktiviteteve dhe angazhimeve të ardhshme institucionale, të cilat do të përfshihen në Planin e ri Trevjeçar (2027–2029).
Në këtë drejtim, Ekipi pati mbështetjen dhe kontributin profesional të ekspertit z. Naser Lajqi nga organizata “Syri i Vizionit”, i cili ofroi mbështetje në procesin e hartimit të planit, duke kontribuar në diskutimin dhe planifikimin e prioriteteve dhe aktiviteteve që do të përfshihen në të.
Përmes këtij procesi synohet që Plani i ri Trevjeçar të përcaktojë objektiva dhe prioritete të qarta, masa konkrete dhe përgjegjësi institucionale për avancimin e mbrojtjes, mirëqenies dhe realizimit të të drejtave të fëmijëve në nivel lokal.
Hartimi i këtij plani përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe angazhimit të përbashkët të të gjithë akterëve për krijimin e një mjedisi ku çdo fëmijë në Komunën e Istogut gëzon të drejtat, mbrojtjen dhe mundësitë e barabarta për zhvillim dhe pjesëmarrje.