Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete, në kuadër të Drejtorisë për Administratë Komunale të Komunës së Istogut, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, organizoi tryezën me temën “Mbrojtja nga diskriminimi dhe standardet e barazisë”.
Në këtë tryezë trajner ishte Prof. Bekim Sejdiu, i cili prezantoi dhe shtjelloi çështje të rëndësishme që ndërlidhen me mbrojtjen ligjore të të drejtave të njeriut dhe zbatimin e standardeve të barazisë.
Gjatë tryezës u trajtuan tema të ndryshme, ndër të cilat:
- Vështrim i përgjithshëm mbi mbrojtjen ligjore të të drejtave të njeriut, përkufizimi, ndarja dhe mekanizmat e mbrojtjes;
- Korniza ligjore kundër diskriminimit në Republikën e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ);
- Barazia para ligjit dhe mosdiskriminimi në praktikën gjyqësore.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte të rrisë vetëdijesimin dhe njohuritë mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, parandalimin dhe luftimin e diskriminimit, si dhe zbatimin e standardeve të barazisë në të gjitha nivelet institucionale dhe shoqërore.
Po ashtu, tryeza synoi të kontribuojë në forcimin e mekanizmave institucionalë për garantimin e trajtimit të barabartë, pa dallim, për të gjithë qytetarët, duke promovuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.