Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete, në kuadër të Drejtorisë për Administratë Komunale të Komunës së Istogut, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve, organizoi një tryezë të rrumbullakët në kuadër të Javës së Shkopit të Bardhë, me rastin e 15 Tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë.
Tryeza u mbajt me temën “Sfidat e personave të verbër dhe realizimi i të drejtave të tyre”, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen personat e verbër në jetën e përditshme, respektimi dhe realizimi i të drejtave të tyre, si dhe nevoja për përmirësimin e qasjes dhe krijimin e mundësive të barabarta për pjesëmarrje në shoqëri.
Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e angazhimit institucional për përmirësimin e qasjes në hapësirat publike dhe shërbimet komunale, eliminimin e barrierave dhe forcimin e bashkëpunimit me organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ngritja e vetëdijes për të drejtat dhe nevojat e personave të verbër, promovimi i barazisë dhe mosdiskriminimit, si dhe nxitja e një angazhimi të përbashkët për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të qasshme dhe me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Komuna e Istogut mbetet e përkushtuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke mbështetur përfshirjen e barabartë dhe respektimin e dinjitetit të çdo qytetari.