Sot, me rastin e shënimit të 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, u mbajt një takim i përbashkët ndërmjet përfaqësueseve të Asamblesë Komunale të Fëmijëve në Istog dhe anëtarëve të Ekipit për të Drejtat e Fëmijës.
Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte diskutimi për të drejtat e fëmijëve, sfidat me të cilat përballen dhe vizionin që ata kanë për një të ardhme më të mirë.
Me rastin e kësaj dite të veçantë, fëmijët patën mundësinë të ngritin çështje të rëndësishme që prekin të drejtat dhe mirëqenien e tyre, duke përfaqësuar me dinjitet shkollat e tyre dhe komunitetin që përfaqësojnë.
Ky takim ishte një dëshmi e fuqisë së fjalës së tyre dhe nevojës që institucionet të jenë gjithmonë të hapura për mendimet dhe shqetësimet e fëmijëve tanë.
Në këtë takim, Kryetari i Komunës, z. Ilir Ferati, theksoi:
“Fëmijët janë e sotmja dhe e ardhmja jonë – zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të respektohet çdo ditë.”
Po ashtu, anëtarët e Ekipit për të Drejtat e Fëmijës kishin mundësi të dëgjonin sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe vizionin që ata kanë për një të ardhme më të mirë, duke premtuar që do të angazhohen të gjithë së bashku që të sigurojnë një mirëqenie më të mirë, ku çdo fëmijë të ndihet i dëgjuar, i sigurt, i përfshirë dhe i mbështetur.