Kryetari i komunës së Istogut, z. Haki Rugova, ka pasur një takim pune me Zëvendës Ministrin në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) z. Behxhet Brajshorin dhe Zëvendës Komandantin e FSK-së Gjeneralin Rrahman Rama me bashkëpunëtorë.
Pasi ka uruar mirëseardhje mysafireve nga Ministria e FSK-së, kryetari Rugova ka shprehur kënaqësinë për një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në mes të FSK-së, Njësitit të kësaj Force që tashmë janë të vendosur në kampin e Dubravës dhe Institucioneve komunale.
“Ky bashkëpunim jo vetëm që do të vazhdojë por ai do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen, sepse prania e Forcës së Sigurisë në komunën tonë dhe më gjerë, është tejet e rëndësishme për qytetarët si dhe mbështetjen që ata ofrojnë”, ka thënë kryetari Rugova.
Zëvendës Ministri në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), z. Behxhet Brajshori, ka falënderuar kryetarin Rugova për ndihmesën që ai ka dhënë në fazën e transferimit të kampit në Dubravë.
“Jemi në fazën e ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ministria e FSK-së është e gatshme që të ofrojë ndihmë në çfarëdo situate dhe kurdo që tek qytetarët paraqitet nevoja”, ka deklaruar zv. Ministri Behxhet Brajshori.
Gjenerali Rrahman Rama, në fjalën e vet, potencoj se FSK-ja përveç detyrave të cilat lidhen me sigurinë e qytetarëve, ajo ka kapacitete të ndihmojë edhe në implementimin e projekteve të ndryshme që institucionet komunale konsiderojnë se ne, në kuadër të mandatit tonë, mund ti kryejmë.
“Projektet të cilat komuna ka planifikuar ti financojë nga buxheti i vet, kurdo që ju mendoni se ne kemi aftësi profesionale dhe aktivitetet e tilla janë në mandatin tonë, ne me kënaqësi do ti kryejmë ato projekte, dhe ajo do të jetë punë vullnetare e jona për ti ndihmuar qytetarët, ndërsa buxhetin e planifikuar për to mund ta destinoni për nevoja tjera” ka thënë Gjenerali Rrahman Rama.
Në fund të takimit, nga të dy palët u tha se ky bashkëpunim i mirë, do të jetë i bashkëpunim i vazhdueshëm.